Asamblea I

Përshtypjet e para

Duhet të themi që pjesëmarrja në asamblenë dioqezane të parë ka qënë shumë pozitive dhe inkurajuese. Shumë kanë pranuar thirrjen e arqipeshkvit për këtë moment soditjeje dhe bashkimi. Megjithatë ende ekziston një mendësi delegimi kur bashkësitë tona dërgojnë përfaqësuesit e tyre për të siguruar një prani dhe një ndërgjegje të qetë. Në një moment si ai i asamblesë dioqezane, të gjitha realitetet duhet të jenë të pranishme. Në të ardhmen mund të konsiderojmë që ftesa të jetë më direkte dmth drejtuar përsonave, etj. dhe jo thjesht nëpërmjet lajmërimit të famullitarëve.

Nga të gjithë pjesëtarët e asamblesë u prit me entuziazem e hare idea e një Sinodi në dioqezën tonë. Gjithashtu tema e Sinodit rreth ungjillizimit duket që është mjaft tërheqëse dhe sfidues njëkohësisht. Ende nuk është e qartë çfarë përfshin Sinodi si realitet kishtar, por deri tani po konsiderohet nga të gjithë si një mundësi e madhe dhe e gjerë, ku secili mund të shprehë idetë e dëshirat e tij për një Kishë në veprim. Një Kishë që është gati për sfidat e ungjillizimit, por njëherazi për një Kishë që bëhet zëri i atyre që janë pa zë dhe në njëfarë mënyre janë të mënjanuar nga shoqëria ose nga rrethanat më të ngushta të Kishës.

Sugjerimet konkrete janë të shumta dhe të larmishme. Zonat periferike (si gjeografike, si ezistenciale) janë të panumërta. Mund të fillojnë me një thirrje të Radio Marisë “të jetë një instrument që ngjall gëzim deri tek nxitje më serioze që “Kisha të hapet ndaj Diakonatit permanent (të përhershëm) duke përfshirë laikët në të gjitha instancat që Kisha parashikon”. Ndoshta në të ardhmen duhet t’i mbajmë parasysh, por për momentin u përpoqa t’i mbledh ato arena kryesore që mund të na ndihmojmë të orientojmë studimin tonë fillestar. Kjo gjë lehtëson formimi i komisioneve sinodale nëpërmjet grupeve të fokusuara me moderatorë të përgatitur sipas temës që trajtohet. Po rendis shkurtimisht disa pika kyçe.

  1. Të gjithë pjesëmarrësit janë ankuar që koha e caktuar për diskutim ishte tepër pak. Sidoqoftë, përveç ndërhyrjes së pasur të arqipeshkvit, dëshmitë kanë lënë një përshtypje mbresëlënëse dhe ishin një frymëzim për punet në grupe. Dy besimtarë nga një traditë myslimane kanë bashkëndarë gëzimin e tyre duke treguar sesi takimin e tyre me Jezusin ua ka përmbysur jetën. Këtu del në pah një fenomen që po përhapet më së shumti në dioqezën tonë. Personat nga një traditë jo katolik që kërkojnë pageëimin dhe bashkëjetesën e tyre me besimtarë të lindur katolikë!
     
  2. Padyshim pothuajse të gjitha grupet kanë theksuar që shkolla dhe familja janë dy pikat më të rëndësishme prej nga duhet nisur ungjillizimi. Sfidat nuk janë të pakta. Pyetjet kryesore këtu janë: duke respektuar laicitetin e shkollave, si mund t’iu paraqitet risia e Ungjillit nxënësve? Pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për aktualizimin e besimit në Ungjill të familjes si një e tërë së bashku. U nënvizua mungesa e përjetimit real të besimit si një familje dhe mungesa e dëshmimit të tij në këtë kuadër nëpërmjet shembullit konkret personal.
     
  3. Ndihet nëvoja urgjente në dioqezën tonë për një tekst të inkulturuar të katekizmit duke patur parasysh traditat, kulturën ose mentalitetin shqiptar. Shumë kanë theksuar që formimi, pas marrja e sakramenteve mund të shndërrohet në një grup lutjeje ose studimi biblik.
     
  4. Populli ynë vazhdon të vlëresojë rolin e predikimit nga ana e meshtarëve sidomos ditën e dielë. Bëhet fjalë atëherë për rëndesinë që i jepet predikimit (metoda, fjalori, përgatitja). Sinodi duhet ta këtë parasysh shpalljen “zyrtare” të Fjalës. Është i domosdoshëm një ose një seri takimesh pas hapjes së Sinodit për mështarët që kanë këtë mision të ndërlikuar.
     
  5. Laikë të pranishëm shprehin dëshirën që të fitojnë më shumë besim nga ana e kishës si institucion duke kërkuar një mënyrë të re të konceptuarit për rishpërndarjen e burimeve njerëzore që Kisha ka në dispocion për ungjillizimin. Duke pasur statistikat në dorë do të ndihmonte që të kishim një kuadër më të plotë. Njëkohësisht ndihet nëvoja që dioqeza ta këtë thirrje të reja në vëçanti meshtarake.
     
  6. Nënvizohet rishtas baritorja e burgjeve si një periferi e rëndësishme. Ka një numër tejet të madh katolikësh nëpër burgje, por po aq vëmendje duhet kushtuar për familjet e të burgosurve pasi ato rrezikojnë një zbehje të jetës fetare për shkak të dramës së personit të burgosur.

Bernard Caruana O.P.

 

Disa pyetje për punë në grup

 

  1. Cilat janë përshtypjet e tua në lidhje me pjesën e parë të asamblesë? Çfarë të preku më shumë nga ndërhyrjet që dëgjuam?
     
  2. Çfarë do të thotë për ty fjala “ungjillizim”?
     
  3. Dioqeza jonë përfshin shumë realitete të ndryshme (mendësinë e qytetit dhe të fshatit, universitet dhe shkollat, bota akademike dhe intelektuale, zonat periferike, besimtarët vendali dhe të ardhur, etj). Mund t’i vësh në dukje? Cilat janë ato fusha, (aeropage) në dioqezën tonë që sipas teje kanë më shumë nevojë që sot të ungjillizohen?
     
  4. Sa njihet Ungjilli (si lajm i mirë shpëtimprurës) në mjediset e tua (familja, vendi i punës, shkolla, etj.)?
     
  5. Çdo i pagëzuar është anëtar i Kishës. Duke u larguar nga një model i Kishës klerikale ose piramidale, çfarë mendon, cili është roli yt si laik në misionin e ungjillizimit të dioqezës?
     
  6. Metoda tradicionale e ungjillizimit (shpallja e fesë) parashikon një predikim të përgatitur mirë dhe liturgji tërheqëse në kishë (sidomos ditën e dielë), material të përshtatshëm dhe aktual për katekizëm. Çfarë fjalori jemi duke përdorur për t’i komunikuar njeriut të sotëm mësimet e ungjillit dhe të Kishës?
     
  7. Ungjillëzimi parashikon edhe një dimension social. Çfarë vendi zënë në thirrjen tonë si të krishterë, të mënjanuarit e dioqezës? Përveç ndihmës materiale, psikologjike etj, si mund të jetë dioqeza jonë “Kisha në dalje” duke krijuar një dialog me çdo periferi (ekzistenciale/gjeografike)?  
     
  8. Çfarë mund të bëjmë konkretisht për të tërhequr prapë të pagëzuarit që, për ndonjë arsye ose tjetër, sot janë indiferentë dhe janë larguar prej Kishës?
     
  9. Cilat janë sfidat (shoqërore, baritore, etj.) me të cilat duhet të ballafaqohet dioqeza jonë sot?
     
  10.  Cilat janë sipas teje ato përparësi që dioqeza jonë duhet t’i këtë si synim në vazhdim, në mënyrë që risia e Ungjillit të jetë efikase për shoqërinë tonë?