Asamblea II

TEMA 1

KISHA DHE KULTURA
MJETET E KOMUNIKIMIT

  • Duhet ungjillëzuar – jo në mënyrë zbukuruese, si një lustër sipërfaqësore, por në mënyrë jetësore, në thellësi dhe deri në rrënje – kultura dhe cultura e njeriut duke u nisur gjithmonë nga personi dhe duke u kthyer gjithnjë te marrëdheniet e njerëzve mes tyre dhe me Hyjin. Ungjilli, e për rrjedhojë ungjillëzimi, sgirusiht që nuk identifikohen me kulturën dhe janë të pavarur nga të gjitha kulturat. Megjithatë, Mbretëria, që e shpall Ungjilli, jetohet nga njerëz që janë thellësisht të lidhur me një kulturë dhe ndertimi i Mbretërisë nuk mund të mos përfitojë nga elementet e kulturës dhe të kulturave njerëzore. Të pavarur përballë kulturave, Ungjilli dhe ungjillëzimi nuk janë medoemos të papajtueshëm me to, por janë në gjendje që t’i ngopin të gjitha, pa iu nënshtruar asnjërës (Evangelii Nuntiandi, n. 20).
     
  • Me termin e përgjithshëm “kulturë dëshirohet të tregohen të gjitha ato mjete me të cilat njeriu i përsos dhe i zhvillon aftësitë e shumta të shpirtit të vet dhe të trupit të vet; kujdeset për të vënë nën pushtetin e tij vetë kozmosin me anë të njohjes dhe të punës; e bën  në të gjithë shoqerinë civile, nëpermjet përparimit të kohës, shpreh, komunikon dhe ruan në veprat e veta përvojat dhe aspiratat shpirtërore, me qëllim që të mund t’i shërbejë përparimit të shumë vetave, madje të krejt gjinisë njerëzore. Si rrjedhojë, kultura paraqet patjetër një aspekt historik e shoqëror dhe fjala “kulturë” merr shpesh një domethënie sociologjike e etnologjike. (Gaudium et Spes, n. 53).
     
  • Në shekullin tonë, i karakterizuar nga mediat apo instrumentet e komunikimit shoqëror, shpallja e parë, katekeza ose thellimi i mëtejshëm i fesë, nuk mund të bëjë pa këto mjete. Të vëna në shërbim të Ungjillit, ato janë në gjendje ta shtrijnë pothuajse në pafundësi fushën e dëgjimit të Fjalës së Hyjit dhe bëjnë që Lajmi i Mirë t’u mbërrijë miljona njerëzve. Kisha do të ndihej në faj para Zotit të saj, nëse nuk do t’i përdorte këto mjete të fuqishme, te cilat inteligjenca njerëzore i bën çdo ditë e më të përsosura. Duke u shërbyer me to, Kisha e predikon “prej pullazeve” (Mt) mesazhin, të cilin ajo e ruan. Në këto mjete, Kishagjen një variant modern dhe të efektshëm të ambonit (Evangelii Nuntiandi, n. 45).
     
  • Është detyrë sidomos e laikëve t’i gjallërojnë me  vlera njerëzore dhe të krishtera këto mjete, me qellim që t’i përgjigjen plotësisht pritshmërisë së madhe të njerëzimit dhe të planit të Hyjit. (Inter Mirifica, n.3).


GRUPI 1:   Si mund te bëjmë qe te mos identifikojmë kulturën (tradita e krahinave, dialektet, etj.) me risinë e lajmit te mirë, që të dalë në pah jo çfarë na dallon, por çfarë na bashkon: Ungjilli? 

GRUPI 2: Si mund të jetë kultura (mjete me të cilat njeriu i përsos dhe i zhvillon te gjitha aftësitë e tija shprehje e një urtie që rregullon aftësitë intelektuale, artistike etj... në shërbim të Ungjillit?

GRUPI 3: Si mund të përdorë Kisha, në shoqërinë bashkohore, mjetet e komunikimit shoqërore, për te predikuar “prej pullazeve” mesazhin te cilin ajo ruan? Dhe duke përdorur këto mjete komunikimi si mund të bëjmë në mënyrë që të depërtohet mesazhi ungjillor?

 

Tema 2

BESIMTARËT LAIKË
ADOLOSHENTËT DHE TË RINJTË

Me emrin “laikë” këtu kuptohet tërësia e të krishterëve më përjashtim të anëtarëve të urdhrit të shenjtë dhe të gjendjes rregulltare të vendosur në Kishë, domethënë besimtarët që, pasi janë bashkuar me Krishtin me pagëzim dhe kanë hyrë në popullin e Hyjit dhe, në masën e tyre janë bërë pjesëmarrës të detyrës meshtarake, profetike dhe mbretërore të Krishtit, në pjesën e tyre kryejnë, në Kishë dhe në botë, misionin e tërë popullit krishtërë (Lumen Gentium, n. 31).

Laikët, të cilët thirrja e tyre e veçantë i vë në mes të botës dhe në drejtimin e detyrave tokësore nga më të ndryshmet, duhet të ushtrojnë pikërisht për këtë arsye një formë të veçantë ungjillëzimi. Detyra e tyre parësore dhe e menjëhershme nuk është themelimi dhe zhvillimi i bashkësisë kishtare – gjë që është roli i posaçem i Barinjve – por është vënia në veprim e të gjitha mundësive të krishtera dhe ungjillore të fshehta, por që janë tashmë të pranishme dhe vepruese në realitetin e botës. Fusha specifike e veprimit të tyre ungjillëzues është bota e gjerë dhe e ndërlikuar e politikës, e realitetit shoqëror, e ekonomisë; ashtu edhe ajo e kulturës, e shkencave dhe e arteve, e jetës ndërkombëtare, e mjeteve te komunikimit hapura ndaj ungjillëzimit, si dashuria, familja, edukimi i femijëve dhe i të rinjve, puna professionale dhe vuajtja. Sa më shumë të këtë laikë të përshkuar nga shpirti ungjillor, të përgjegjshëm për këto realitete dhe të angazhuar në ton ë mënyrë të hapur, të aftë për nxitjen e tyre dhe të vetëdijshëm seduhet ta zhvillojnë të gjithë aftësinë e tyre të krishterë, të cilës shpesh i zihet fryma dhe mbahet e fshehur, aq më tepër këto realitete, pa humbur e pa flijuar asgjë prej koeficientit të tyre njerëzore, por duke shfaqur një përmasë trascendente shpesh të panjohur, do të gjenden në shërbim të ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit dhe kështu të shpëtimit në Jezu Krishtin (Evangelii Nuntiandi, n. 70).

Rrethanat na ftojnë që t’i kushtojmë një vëmendje krejt të veçantë të rinjve. Shtimi i tyre në numër dhe prania e tyre gjithnjë e në rritje në shoqëri, si edhe problemet që i mundojnë të rinjtë, duhet të rizgjojnë te të gjithë shqetësimin që me zell dhe me mençuri t’u ofrohet atyre ideali ungjillor, ashtu që ta njohin dhe ta jetojnë atë. Mirëpo, nga ana tjetër, duhet që të rinjtë, të formuar mirë në fe dhe në lutje, të bëhen, gjithnjë e më shumë, apostuj të rinisë. Kisha beson dhe mbështetet shume në ndihmesën e tyre (Evangelii Nuntiandi, n. 72).


GRUPI 4: Si mund të jenë laiket e Dioqezës sonë protagonistë, pra aktivë, duke bërë në mënyrë që forca e Ungjillit të shndrisë në jetën e përditshme, familjare dhe shoqërore?

GRUPI 5:  Çfarë mund të bëjmë që t’u ofrojmë të rinjve idealin ungjillor pa kompromis, me qellim që, te formuar mire ne fe e ne lutje, te bëhen vete apostujt e rinise?

GRUPI 6:  Ne, që na prekin nga afër çështjet dhe shqetësimet e të të rinjve të sotëm, si mund t’indihmojmë që të gjejnë në fe, përgjigjet për pyetjet te skalitura në zemrat e tyre ?

 

TEMA 3

MARTESA DHE FAMILJA

Në fushën e apostullatit të ungjillëzimit që i përket laikëve, është e pamundur të mos theksohet veprimi ungjillëzues i familjes. Është me shumë vend përcaktimi i bukur i “Kishës shtëpiake”, që i është bërë familjes në momente të ndryshme të historisë së Kishës. Kjo do të thotë që, në çdo familje, sikurse Kisha, duhet të jetë një hapësirë në të cilën transmetohet Ungjilli dhe prej së cilës Ungjilli rrezatohet. Pra në brendësinë e një familjeje të vetëdijshme për këtë mision, të gjithë pjesëtarët e familjes ungjillëzojnë dhe ungjillëzohen. Prinderit, jo vetëm që ua komunikojmë fëmijëve Ungjillin, por mund të marrin prej tyre të njëjtin Ungjill thellësisht të jetuar. Dhe një familje e tillë bëhet ungjillëzues e shumë familjeve të tjera dhe e mjedisit në të cilin ndodhet. Edhe familjet e lindura nga një martesë e përzier e kanë për detyrë që t’ua shpallin Krishtin fëmijëve të tyre në plotësinë e asaj çka rrjedh nga Pagëzimi, të cilin e kanë të përbashkët; ato kanë, gjithashtu edhe detyrën jo të lehtë që të bëhen edhe përnxitëse të bashkimit (Evangelii Nuntiandi, n. 71).

«Duhet po ashtu të marrim parasysh rrezikun në rritje që përbën një individualizëm i theksuar i cili i përçudnon lidhjet familjare dhe arrin ta konsiderojë çdo anëtar të familjes si një ishull, duke bërë të sundojë, në disa raste, ideja e një subjekti që ndërtohet sipas dëshirave të veta të marra si diçka absolute».«Tensionet që ka sjellë një kulturë e theksuar individualiste e zotërimit dhe e kënaqjes, krijojnë brenda familjeve dinamika padurimi dhe agresiviteti» (Gëzimi i Dashurisë, n. 33).

Si të krishterë nuk mund të heqim dorë nga propozimi i martesës për shkak se i kundërvihemi ndjeshmërisë aktuale, për të qenë në modë, apo për ndjenja inferioriteti para degradimit moral e njerëzor. Do të ishim duke e privuar botën prej vlerave që mundemi dhe duhet të ofrojmë. Sigurisht, nuk ka kuptim të ndalemi në një denoncim retorik të të këqijave aktuale, a thua se me këtë mund të ndryshojmë diçka. As nuk shërben të pretendojmë të imponojmë norma me forcën e autoritetit. Na kërkohet një përpjekje më e përgjegjshme dhe bujare, që do të thotë të paraqesim arsyet dhe motivimet për të bërë një zgjedhje në dobi të martesës e të familjes, kështu që personat të jenë më të gatshëm t’i përgjigjen hirit që Hyji u jep atyre (Gëzimi i Dashurisë, n. 34).

Mungesa e një banese dinjitoze apo të përshtatshme shpesh bën që të shtyhet në kohë formalizimi i një marrëdhënieje. Duhet të kujtojmë se «familja ka të drejtën për një banesë të hijshme, të përshtatshme për jetën e fmailjes dhe në përpjesëtim me numrin e anëtarëve, në një mjedis që ofron shërbimet bazë për jetën e familjes dhe të bashkësisë». Një familje dhe një shtëpi janë dy gjëra që kujtojnë njëra-tjetrën. Ky shembull tregon se duhet të këmbëngulim në të drejtat e familjes, dhe jo vetëm në të drejtat individuale. Familja është një e mirë pa të cilën shoqëria nuk mund të bëjë, por ka nevojë që të mbrohet. Mbrojtja e këtyre të drejtave është «një thirrje profetike në dobi të institucionit familjar, i cili duhet të respektohet dhe të mbrohet prej të gjitha uzurpimeve»,sidomos në kontekstin aktual ku zakonisht zë pak hapësirë në planet politike. Mes të drejtave të tjera, familjet kanë edhe të drejtën që «të mund të mbështeten në një politikë të përshtatshme familjare nga ana e autoriteteve publike në fushën juridike, ekonomike, shoqërore e fiskale. Nganjëherë janë dramatike ngushticat e familjeve kur, në prani të sëmundjes së një personi të dashur, nuk mund të kenë shërbimet shëndetësore të përshtatshme, ose kur kalon shumë kohë pa pasur një punësim dinjitoz. «Detyrimet ekonomike e përjashtojnë qasjen e familjeve në edukim, në jetën kulturore dhe në jetën shoqërore aktive. Sistemi aktual ekonomik prodhon forma të ndryshme të përjashtimit shoqëror. Familjet vuajnë në mënyrë të veçantë problemet që kanë lidhje me punën. Mundësitë për të rinjtë janë të pakta dhe oferta e punës është shumë përzgjedhëse dhe e përkohshme. Ditët e punës janë të gjata dhe shpesh të rënduara nga kohë të gjata udhëtimi. Kjo nuk i ndihmon familjarët që të rrinë me njëri-tjetrin dhe me bijtë, në mënyrë që t’i ushqejnë përditë marrëdhëniet e tyre». (Gëzimi i Dashurisë, n. 44).


GRUPI 7:  Si mund te përjetohet në jetën familjare dhe martesore përvoja e pranisë se Zotit e thithur nga hiri i sakrameneteve të pranuar ne Kishe?

GRUPI 8: Në vendin ku jetojnë familjet tona, si mund ato vetë te bëhen pikë referimi dhe frymëzimi, që edhe familje të tjera ta njohin Jezu Krishtin?

GRUPI 9: Në ç’mënyre pala katolike  mund të qëndrojë besnik/e, ndaj premtimeve pagëzimore dhe martesore, që të mund te shpallë e të dëshmojë ungjillin me besnikëri e thjeshtësi në gjirin e familjes?