Pajtoret e dioqezës

SHËN PALI

APOSTULL

 

Festa Liturgjike

25 janar

Pali i Tarsosit (ose Sauli) i emëruar Shën Pali apostull, lindi rreth vitit 10 dhe vdiq në vitin 67. Mendohet nga shumë të krishterë si dishepulli më i rëndësishëm i Jezusit, dhe sipas shumë të tjerëve është figura më e rëndësishme në zhvillimin e Krishterimit. Sh. Pali përfaqëson shembullin kulmor të besimit për të cilin ai ndërroi krejtësisht jetën e tij, pas ngjarjes së mrekullueshme siç e përshkruan ai vetë, duke iu përkushtuar vetëm përhapjes së ungjillit të Jezu Krishtit, për të cilin ai dha dëshmi gjer në vdekjen e tij dëshmore në Romë.

Ndikimi i Sh. Palit në mendimin e krishterë ka qenë më i rëndësishmi se çdo autor tjetër i Besëlidhjes së Re.

 

 

SHËN LUÇIA

VIRGJËR dhe MARTIRE

 

Festa Liturgjike

13 dhjetor

 

Edhe Dante kishte shumë përshpirtëri ndaj kësaj shenjtëreshe popullore. I drejtohej për ta shëruar prej disa shqetësimeve në sy për shkak të numrit të madh të librave që lexonte. Tek Komedia, Luçia bëhet simboli i hirit ndriçues, por më shumë se me ngjarjen e verbërimit, që është e dyshimtë, mbrojta e saj lidhet me emrin, dritë shpirtërore që arrin të shohë përtej realitetit tokësor. Për lindjen e Luçias në Sirakuzë na flet një shkrim i shekullit V i gjetur në katakombet sirakuziane të Shën Gjonit. Jeta e saj tregohet nga një Mundim, i shkruar mes shekujve V dhe të VI, me ngjyrime aventurestke e legjendare, por mjaft magjepse. Tregohet se Luçia, nuse e premtuar, mori lejen ta shtynte dasmën që të mund t’i qëndronte pranë nënës së sëmurë. E reja e çoi nënën afër varrit të martires kataneze Ages. Gruaja, pasi u kthye e shëruar, e lejoi të bijën të ndiqte thirrjen. Luçia kishte vendosur t’ia kushtonte virgjërinë e vet Krishtit; por i fejuari, i lënë jashtë, u hakmor duke e paditur tek prefekti Paskazi. Në këtë pikë vjen riti i zakonshëm i pyetsorit, me urdhërin për t’i kushtuar fli hyjnive, dhe pas refuzimit të parashikuar të virgjërës sirakuziane: «Flijim i pastër është para Hyjit të vizitosh vejushat, jetimët..». Dhe Paskazi: «Unë zbatoj urdhërat e Cezarit». «Unë ligjin e Zotit tim», përgjigjet Luçia. Dialogu vazhdon me këtë ton derisa Paskazi humb durimin: «Mjaft tani me llafet e tua, të kalojmë me torturat». E para duhej të ishte paraqitja e turpshme në një bordel. Këtu ndodhi mrekullia e parë që duhej t’i kishte bërë për të reflektuar persekutuesit e saj. Ngjarja paraqitet nga Lorenc Basani në pikturën mbi altarin e shën Gjergjit të Madh në Venecia, ku janë ruajtur gjatë relikët e martires që u morën nga Kostandinopoja gjatë kryqëzatave. Por as ushtarët as një palë buaj nuk arritën ta lëviznin një pëllmbë virgjërën. Paskazi, aspak i turbulluar, kaloi në tortura më të dhimbshme, por as zjarri i ndezur në trupin e saj të mbuluar me material të zjarrtë nuk pati efekt në të. Nuk mbetej veçse kokprerja, kësaj here shpata fitoi, edhe pse jo menjëherë, meqenëse e reja me fytin e prerë vazhdoi ta shpallte fenë e saj në Krishtin, që përfundoi me amen e njëzëshëm të të krishterëve të pranishëm.