Statuti i Këshillit Presbiterial

Përkufizimi

1. Këshilli presbiterial është senati i Arqipeshkvit i cili duke pasur vlerë këshilluese i jep mendimin e tij Arqipeshkvit në çështje me rëndësi për jetën e Dioqezës. Për këtë arsye duhet të jetë me të vërtetë përfaqësues i presbiterit të Dioqezës.

2. Këshilli rregullohet nga ligji universal, nga rregullat e Konferencës Ipeshkvnore dhe nga ky statut.

 

Kompetencat

3. Këshilli presbiterial ka detyrën që t’i japë mendimin e tij Arqipeshkvit në çështje me rëndësi për jetën e dioqezës, apo që vetë Arqipeshkvi ia propozon këtij këshilli, sidomos për çfarë i përket mësimit të doktrinës së krishterë, shenjtërimit të besimtarëve, udhëheqjes baritore dhe administrimit të dioqezës.

4. Në këshillin presbiterial trajtohen vetëm ato çështje që propozon Arqipeshkvi, me nismën e tij ose me sygjerimet e anëtarëvetë pranuara prej tij.

5. Sipas ligjit universal Këshilli duhet të dëgjohet në rastet e mëposhtme:

  1. për themelimin, shpërbërjen ose ndryshimet e rëndësishme të famullive (k. 515 § 2);
  2. kur Ipeshkvi vendos rregulla mbi destinimin e ofertave të besimtarëve në famulli (k. 531);
  3. para se Ipeshkvi të japë lejen për ndërtimin e një kishe të re (k. 1215 § 2);
  4. para se Ipeshkvi për arsye të mëdha të japë lejen që një kishë të përdoret për qëllime jofetare (k. 1222 § 2);
  5. kur Ipeshkvi vendos mbi persona juridikë publikë të varur nga ai, një taksë për nevojat e dioqezës (k. 1263).​

6.Përveç rasteve të sipërpërmëndur është mirë të dëgjohet Këshilli Presbiterial:

  1. për aprovimin e një plani baritor për dioqezën;
  2. përpara se të organizohet një mision ose aktivitet baritor i jashtëzakonshëm në nivel dioqezan;
  3. kur bëhet fjalë për çështje të një rëndësie që i përkasin jetës dhe Shërbesës së Klerit.

 

Përbërja

7. Këshilli presbiterial duhet të përbëhet në mënyrë të tillë që afërsisht gjysma e anëtarëve të jenë të zgjedhur dhe gjysma tjetër të jenë anëtarë ex officio dhe të emëruar nga Ipeshkvi.

8. Anëtarët ex officio janë:

  1. Vikari Përgjithshëm;
  2. Dekanët e emëruar për 3 (tre) vjet nga Arqipeshkvi për rajonet e ndryshme të dioqezës;
  3. Kancelari i Kuries Arqipeshkvnore.

9. Për anëtarët e zgjedhur nga kleri votohet gjatë asamblesë për të gjithë klerin e dioqezës, në datën dhe vendin e përcaktuar nga Arqipeshkvi.

10. Kanë zë aktiv e pasiv:

  1. të gjithë priftërinjtë dioqezanë të inkardinuar në dioqezë;
  2. priftërinjtë shekullarë jo të inkardinuar në dioqezë, por që banojnë në dioqezë e që shërbejnë në dioqezë;
  3. priftërinjtë, anëtarë të Instituteve të jetës së kushtuar ose të Shoqërive të jetës apostolike sipas Kodit të së Drejtës kanonike, të vendosur në dioqezë e që janë aktualisht banues në dioqezë.

11. Para se të procedohet në zgjedhje, përcaktohet numri i anëtarëve të cilët duhet të zgjidhen, sa prej tyre zgjidhen nga kleri shekullar dhe sa nga kleri rregulltarë, në mënyrë që numri i anëtarëve në këshillin presbiterial të jetë pak a shumë në proporcion ndërjmet numrit tëpriftërinjëve shekullarë e priftërinjëve rregulltarë të pranishëm në dioqezë.

12. Anëtarët e këshillit presbiterial zgjidhen ose emërohen për një periudhë kohe 3 vjeçare pa paragjykim të k. 501§2.

 

Mbledhjet

13. Si rregull këshilli presbiterial mblidhet të paktën çdo dy muaj. Sekretari u dërgon rendin e ditës anëtarëve të këshillit të paktën 1 (një) javë para mbledhjes.

14. Arqipeshkvi drejton çdo mbledhje të këshillit. Në mungesë të tij mbledhjet drejtohen nga Vikari i Përgjithshëm.

15. Arqipeshkvi mund të emërojë një udhëheqës për të drejtuar mbledhjet e këshillit.

16. Në takimin e parë të çdo sesioni të këshillit, anëtarët duhet të miratojnë Sekretarin i cili propozohet nga Arqipeshkvi. Është detyra e Sekretarit të shkruajë procesverbalin e çdo mbledhje dhe t’ia dërgojë rendin e ditës për mbledhjen e ardhshme çdo anëtari.

17. Për çdo takim të këshillit kërkohet një quorum, të paktën sa gjysma e anëtarëve.

18. Arqipeshkvi ka të drejtë të vendosë sekretin në mes të anëtarëve kur bëhet fjalë për çështje delikate, ndërsa anëtarët janë të detyruar të mbajnë këtë sekret.